Trajneri i Interit, Rafa Benitez, është duke u përgatitur të
bëjë ndryshime në formacionin e ekipit pas fillimit të ngadalshëm të sezonit,
ka shkruar të enjten e përditshmja sportive italiane Gazzetta dello Sport.
Nerazzurrët barazuan 2-2 në udhëtim te Twente të martën dhe u desh të mundohen
mjaft për të mposhtur Udinesen në xhiron e dytë në Serie A (pas barazimit pa
gola me Bolognan), duke zgjuar brenga rreth formës së tyre në këtë fillim të
sezonit.
Gazzetta ka mësuar se Benitez është duke menduar për ndryshimin e sistemit për
t’i ndihmuar më tepër repartit të mesfushës. Inter është mysafir i Palermos në
fundjavë dhe Benitez mund të hedhë në fushë formacionin 4-3-1-2 në vend të
4-2-3-1.