Zllatan Ibrahimoviç dhe Arrigo Saki kanë dhuruar një sherr
të vërtetë live në Tv pas ndeshjes Milan-Okser (2-0).
Ish-trajneri i Milanit dhe i kombëtares italiane ishte i ftuar në Mediaset
Premium për të komentuar ndeshjen dhe gjithçka ka ecur për bukuri, me
drejtuesit e emisionit që po i thurnin elozhe Ibrës, autor i të dy golave të
Milanit.
"Saki tha që po të mos kishe këmbën 47, nuk do ta shënoje dot golin e parë”, e
pyeti drejtuesi i emisionit sulmuesin e Milanit.
Por, suedezi e mori keq: "Saki duhet të mësojë ta qepë! Edhe ai duket xheloz,
sepse po flet tepër, duhet të flasë më pak në Tv e gazeta. Nëse ka diçka, duhet
të vijë te mua. Nëse s’i pëlqen si luaj, mos të më shohë”.
Në studio ra heshtja. "Shiko se ishte kompliment”, e sqaroi drejtuesi i
emisionit. "Ok, por Saki ka folur për mua edhe kur isha te Barcelona”, shtoi Zllatan.
"Unë besoj se mund ta shpreh opinionin tim me korrektësi dhe edukatë, nuk të
kam fyer kurrë”, ia ktheu Saki, i ngrirë komplet. "Kur një njeri flet tepër,
flet tepër. Ti je një prej tyre, - vazhdoi Ibra. – E thashë, nëse s’të pëlqen
si luaj, mos më shiko”. "OK, por shko mëso edukatën”, e mbylli Arrigo Saki.
|