Tashmë pranohet nga të gjithë që forma e "axurrëve” në Kupën e Botës është pasqyrë e futbollit italian në përgjithësi.Pas dështimit në botërorin e Afrikës, tekniku i ri ka detyrën e vështirë të rikthejë besimin te skuadra. Për ta bërë këtë, duhet të përzgjedhë elementët e duhur dhe të lërë jashtë të panevojshmit.Prova e parë e Italisë së re do të jetë në miqësoren e 11 gushtit (ende nuk është përcaktuar kundërshtari), në kuadër të përgatitjeve për eliminatoret e "Euro 2012”-ës. Po cilët janë ata që mund t’i thonë lamtumirë përfaqësueses dhe cilët janë ata të rinj që mund t’i zëvendësojnë? Le t’i marrim me radhë.Në portë Xhanluixhi Bufon vazhdon të ofrojë siguri. Duhet të kalojë dëmtimin në shpinë, por me rikthimin e tij katërkëndëshi italian mbetet më i sigurt. Mungesa e tij u ndie dje ndaj Sllovakisë, ku Marketi e zëvendësoi. Ky i fundit nuk shkëlqeu, por ama as nuk bëri gabime të rënda dhe mund të mbetet në radhët e "axurrëve” së bashku me portierin e Palermos, Sirigu. Kurse për De Sanktisin cikli mund të quhet i mbyllur. Në mbrojtje, megjithëse ka shprehur dëshirën për të qëndruar, Xhanluka Zambrota mund të jetë "viktimë” e revolucionit. Vendin e tij mund ta zënë Kasani dhe Maxho. Ky i fundit mund të luajë edhe si mesfushor i djathtë. Marko Mota dhe Davide Santon janë dy elementë të tjerë që mund të përfshihen në të djathtë të prapavijës. Në qendër ikën Kanavaro, ndërkohë që Kielini-Bonuçi marrin "stafetën”. Ranokia qëndron në pritje, së bashku me Boketin, Gamberinin dhe Santakroçen. Në të majtë, vendin e sigurt e ka Krishito, kurse alternativa të tjera janë De Çelje dhe Antonini.Gatuzo lë një vend të lirë në mesin e fushës, kurse Kamoranezi, megjithëse ka shprehur dëshirën për të vazhduar, vështirë të jetë pjesë e planeve të Prandelit.Ky i fundit mund të vazhdojë të besojë ende te Pirlo. E ardhme e sigurt "axurre” duket për De Rosin, Montolivon dhe Markizion. Më e pasigurt e ardhmja e Pepes dhe e Palombos. Emrat e tjerë janë të shumtë: Kandreva, Poli, Galopa, Pulçeti, D’Agostino, Lazari, Akuilani në qendër, Manini, Paladino, Markioni, Çerçi e Abate si anësorë.Në sulm, cikli i Di Natales me shumë mundësi mbyllet këtu. Paraqitja e Kualjarelës në Afrikë ishte e kënaqshme, por nuk mund të thuhet e njëjta gjë për Pacinin, Xhilardinon dhe Iakuintën. Alternativat nuk mungojnë (dhe janë klas i lartë): Kasano, Baloteli, Mikoli, Xhuzepe Rosi, Borielo dhe Matri.